IADK realizon vizitë studimore me përfituesit e sektorit të blegtorisë

Me datë 24 Nëntor 2023 është realizuar vizita studimore për shkëmbim të eksperiencave me përfitues të laktofrizave, të makinave mjelëse dhe të bidonave të qumështit, me qëllim të avancimit të mëtejmë të njohurive për praktikat më të mira të menaxhimit të fermave blegtorale.
Në këtë vizitë kanë marrë pjesë dy grupe të fermerëve nga Drenasi dhe Podujeva, të cilët patën rastin për të shkëmbyer përvojat e tyre mes veti, dhe të shohin nga afër mënyrën e mbarështimit, kapacitetet prodhuese dhe menaxhimin e mirëfilltë tek dy ferma të lopëve qumështore, njëra në Komunën e Vushtrrisë dhe tjetra në Komunën e Lipjanit.
Ndër të tjera, përfituesit kanë fituar njohuri të reja si; në ndërtimin e stalleve në bazë të standardeve për mirëqenie të kafshëve, të përzgjedhjes së racave të lopëve me karakteristika prodhuese të qumështit, të rregullave të mbajtjes së higjienës në fermë, si dhe të prodhimit të ushqimeve vëllimore të thata, të njoma dhe të konservuara bazuar në praktikat e ruajtjes së cilësisë së tyre. Po ashtu, kanë pasur mundësin të shohin nga afër sistemin e mbyllur të mjeljes së lopëve qumështore, dhomën e laktofrizit me të gjitha pajisjet përcjellëse, praktikat e mjeljës dhe të pastrimit të pajisjeve mjelëse me qëllim të përmirësimit të cilësisë së qumështit, të rritjes së të ardhurave dhe të zvogëlimit të humbjeve nga kjo veprimtari.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës” i financuar nga donatori BfdW nga Gjermania.