Përkrahen fermerët me grante në sektorin e pemëtarisë!

Suharekë

IADK ka nënshkruar kontratat me 10 fermerë përfitues nga Komuna e Suharekës për përkrahje me grante në sektorin e pemëtarisë përkatësisht grante për ngritje të pemishteve me dredhëza. Pakoja përkrahëse për secilin përfitues përmban fidanet e dredhëzave, sistemin e ujitjes dhe inputet tjera përcjellëse për ngritjen e pemishteve të dredhëzave me sipërfaqe prej 1500 m².

Nënshkrimi i kontratave me përfituesit është bërë nga Drejtori Ekzekutiv i IADK-së z.Zenel Bunjaku dhe Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi z.Ardian Kotorri, të cilët uruan fermerët për këto grante mbështetëse në sektorin e pemëve të imëta, që ka për qëllim krijimin e kushteve për vetëpunësim dhe gjenerimin e të ardhurave nga aktivitetet bujqësore.

Me qëllim të përgatitjes me kohë të punëve në ngritjen e pemishteve, IADK ka shpërndarë edhe sistemin e ujitjes, si dhe ka realizuar edhe dy trajnime teorike me përfituesit, për të vazhduar më tutje edhe me këshillat direkte në teren te secili përfitues, në mënyrë që të kemi rezultate sa më të mira te përfituesit.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, i financuar nga donatori BfdW nga Gjermania dhe bashkë financuar nga Komuna e Suharekës.