IADK mirëpriti përfaqësues të universiteteve nga Finlanda dhe Kosova

IADK mirëpriti përfaqësues të universiteteve nga Finlanda dhe Kosova

IADK pati kënaqësinë të mirëpresë Prof. Dr. Heli Wahlroos nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Savonia në Finlandë dhe Prof. Asoc. Dr. Bahtir Hyseni, Prorektor për Kërkime Shkencore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Gjatë takimit, drejtori i IADK-së, z. Zenel Bunjaku, së bashku me udhëheqësen e sektorit të përpunimit të ushqimit, znj. Artiola Xhaka, prezantuan përvojën dhe punën e organizatës në zhvillimin e bujqësisë, aftësimin profesional dhe përpunimin e ushqimit, duke theksuar rëndësinë e qasjes praktike dhe të punës së drejtpërdrejtë me komunitetet rurale.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë dhe të rejat, në mënyrë që bujqësinë dhe përpunimin e ushqimit t'i shohin si fusha me perspektivë për zhvillim profesional, punësim dhe ndërtimin e së ardhmes së tyre.

Gjatë takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Savonia dhe IADK-së. Fushat e mundshme të bashkëpunimit përfshijnë shkëmbimin e studentëve dhe mundësitë për realizimin e praktikës profesionale në Kosovë, si dhe zhvillimin dhe aplikimin e përbashkët në projekte me interes të ndërsjellë për institucionet.

Ishte kënaqësi të ndajmë përvojat, të shkëmbejmë ide dhe të identifikojmë mundësi të reja bashkëpunimi. Besojmë se partneritetet ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave që punojnë drejtpërdrejt në terren krijojnë vlera të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, përpunimin e ushqimit dhe perspektivën profesionale të të rinjve.

Ndaj

Në dispozicion: SHQ, ENG