IADK çertifikon kandidatet nga Komuna e Vitisë

Viti

Sot më datë 05.11.2021 është organizuar ceremonia e certifikimit të 10 kandidateve nga Komuna e Vitisë, të cilat kanë vijuar me sukses trajnimet profesionale në sektorin e përpunimit, në përgatitjen e ëmbëlsirave.

Në trajnimin e organizuar kanë qenë 15 kandidate, të cilat janë aftësuar në aspektin teorik dhe praktik në përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme dhe në aspektin e sigurisë gjatë përpunimit të ushqimit. Pas përfundimit të trajnimeve kanë arritur të çertifikohen 10 kandidate bazuar në rezultatin e treguar gjatë angazhimit, testeve vlerësueses dhe vijueshmërisë së tyre.

Shpërndarja e çertifikatave është bërë nga Drejtori Ekzekutiv i IADK-së z. Zenel Bunjaku, Kryetari i Komunës së Vitisë z. Sokol Haliti dhe Drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural znj. Arlinda Sahiti, ku uruan kandidatet për përkushtimin dhe suksesin e tyre të treguar gjatë trajnimeve në përgatitjen e ëmbëlsirave.

Pjesë e aktivitetit të trajnimeve ka qenë mbështetja e njërës prej kandidateve me pajisje për përgatitje të ëmbëlsirave në vlerë prej 12.000 €. Andaj sot është bërë nënshkrimi i kontratës me përfituesen Alba Zejnullahu, e cila do të mbështetet me linjën e pajisjeve profesionale dhe do të mund  zhvilloj biznesin e saj në shitjen e produkteve të ëmbëlsirave.

Kryetari i Komunës së Vitisë dhe stafi i drejtorisë së bujqësisë, falënderuan organizatën IADK, për realizimin e këtij aktiviteti dhe ndihmën e vazhdueshme që realizon organizata në Komunën e Vitisë në mbështetje të grave dhe fermerëve.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës” i financuar nga Donatori BfdW nga Gjermania dhe bashkë financuar nga Komuna e Vitisë.