Përkrahet krijimi i bizneseve individuale dhe vetëpunësimi në bujqësi
Shtime dhe Mitrovicë Jug
IADK vazhdon të kontribuojë në ndihmën e të rinjve, grave dhe grupeve në pozitë të pafavorshme në zonat rurale për të krijuar biznese të reja dhe për të krijuar kushte për t'u vetëpunësuar. Me datë 8 shtator 2021 janë nënshkruar kontrata me 27 përfitues nga Komuna Mitrovicë Jugore dhe Komuna Shtime për mbështetje me pajisje bujqësore në vlerë €3,000 (vetëpunësim) dhe €5,000 (start-up).
Drejtori Ekzekutiv i IADK-së – zt. Zenel Bunjaku, Kryetari i Komunës Mitrovicë Jugore – zt. Agim Bahtiri, dhe Kryetari i Komunës Shtime – zt. Naim Ismajli kanë nënshkruar kontratat me përfituesit e vitit të parë gjatë dy ceremonive të nënshkrimit të kontratave në komunat përkatëse të cilat janë partnere dhe bashkë-financuese të projektit.
Gjatë vitit të parë të projektit, planifikohen të jenë 29 përfitues në total. Përfituesit nga ky projekt do të mbështeten me mekanizëm bujqësor, pajisje për përpunim të ushqimit, bletari, shpeztari, blegtori, dhe serra. Përfituesit e grantit €3,000 do të vetëpunësohen ndërsa përfituesit e grantit €5,000 do të regjistrojnë biznes individual, të punësojnë veten dhe njëkohësisht edhe një punëtor.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjëve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”, projekt dy vjeqar (2020-2022) financuar nga @EuropeanUnionInKosovo