Realizohen trajnimet profesionale në sektorin e blegtorisë
Kamenicë & Vushtrri
Me qëllim të avancimit të fermerëve të angazhuar në sektorin e blegtorisë janë mbajtur trajnime profesionale nga ekspertët e IADK-së me një grup prej 15 fermerëve nga Komuna e Kamenicës. Fermerët kanë përcjellur programin e trajnimeve në profilin e gjedhtarisë, të cilët gjatë 29 ditëve të pjesëmarrjes në trajnime kanë vijuar sesionet teorike dhe praktike të moduleve. Mësimi praktik është mbajtur në fermë të gjedheve, ku është bërë demonstrimi konkret i praktikave më të rëndësishme blegtorale që aplikohen gjatë mbarështimit të gjedheve.
Programi modular i trajnimeve është i dizajnuar në formën teorike 30% dhe në formën praktike 70%. Varësisht nga pjesëmarrja, angazhimi dhe kalueshmëria e testeve të vlerësimit, fermerët do të çertifikohen si “Teknik i Blegtorisë” sipas Nivelin III të KKK.
Pas përfundimit të trajnimeve fermerët mund të aplikojnë në skemën e granteve për mbështetje direkte në sektorin e blegtorisë, me qëllim të rritjes së prodhimit dhe të hyrave nga aktivitetet blegtorale.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projetit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, i financuar nga Donatori Gjerman BfdW nga Gjermania dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Kamenicës.