IADK nënshkruan kontratat me përfituesit e granteve për BMA
Pejë dhe Istog
Sot më datë 07.05.2021 janë nënshkruar kontratat me 20 përfitues të granteve përkrahëse për kultivimin e bimëve mjekësore aromatike, përmes së cilave do të krijohen kushte për gjenerimin e të hyrave dhe vetëpunësim nga aktivitetet bujqësore.
Paraprakisht janë organizuar trajnime në aspektin profesional për kultivim të BMA-ve dhe menaxhimin e biznesit për dy grupe të fermerëve nga Peja dhe Istogu, ku 40 fermerë kanë mësuar praktikat e kultivimit të llojeve më të rëndësishme të bimëve mjekësore njëvjeçare dhe shumëvjeçare, dhe për aspektet e përfitimit nga prodhimtaria e tyre.
Përfituesit e granteve do të përkrahen me material fidanor të BMA-ve, sistem të ujitjes, serra tharëse dhe mekanizëm të lehtë për kultivim të tokës.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave nga drejtori ekzekutiv i IADK-së dhe drejtorët e drejtorive për bujqësi në komunën e Pejës dhe Istogut, fermerët përfitues janë motivuar që të merren me përkushtim në kultivimin e BMA-ve ngase është një sektor në përspektivë nga i cili mund të krijohen të hyra solide.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Krijimi i vendeve të punës në bujqësi” i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar në mes Malit të Zi dhe Kosovës.