IADK NËNSHKRUAN MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

Pejë dhe Istog

IADK ka nënshkruar Marrëveshje për Bashkëpunim (MpB) me Komunën e Pejës dhe Komunën e Istogut për zbatimin dhe bashkëfinancimin e dy projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar në mes Malit të Zi dhe Kosovës, më saktësisht për projektin “Transhumanca - ofertë e re turistike e Kosovës dhe Malit të Zi” si dhe për projektin “Krijimi i vendeve të punës në Bujqësi”.

Projekti “Transhumanca - ofertë e re turistike e Kosovës dhe Malit të Zi “është një projekt dyvjeçar (2020-2022) i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së turizmit në lidhje me vlerësimin e trashëgimisë dhe vlerave kulturore dhe natyrore. Gjatë zbatimit të projektit do të përkrahen fermerët në stane që të përmirësojnë kushtet për ofrimin e shërbimeve të turizmit, ngritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe do të sigurojë ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës së popullatës lokale në zonat malore, ku do të ketë shtrirje projekti.

Projekti tjetër “Krijimi i vendeve të punës në Bujqësi” me periudhë zbatimi prej 18 muajve, ka për synim krijimin e  vendeve të punës në bujqësi dhe lehtësimin e qasjes në tregun e punës për të rinjtë. Gjatë zbatimit të projektit do të përkrahen fermerët me trajnime dhe këshilla direkte për mënyrën e kultivimit të bimëve mjekësore aromatike si dhe me grante për kultivimin e bimëve mjekësore aromatike. Gjithashtu, do të përkrahen edhe 20 studentë me punë praktike me qëllim të përgatitjes së tyre për qasje më të lehtë në  tregun e punës.