IADK krijon kushte për femra ndërmarrëse, në Shalë të Bajgorës

Bajgorë

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës mundësuan krijimin e njësisë për përgatitjen e ëmbëlsirave, të Adelina Feratit, e cila do jetë shembull dhe motiv për shumë gra dhe vajza tjera të cilat jeojnë në zonat rurale të Kosovës.

Promovimi i njësisë ishte pjesë e realizimit të këtij aktiviteti ku morën pjesë drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, banorë të fshatit si dhe zyrtarë të tjerë komunal.

Komuna e Mitrovicës thekson bashkëpunimin e suksesshem që ka me organizaten e IADK-së në realizimin e projekteve që kanë ndikuar në aftësimin dhe vetëpunësimin e grave, të rinjëve dhe fermerëve përmes krijimit të kushteve për punë.

Përfituesja e këtij projekti Adelina Ferati është shprehur shumë falënderuese për mundësitë që IADK i krijon për të rinjët në zonat rurale përmes projekteve që implementon dhe fton të gjitha grate dhe vajzat të tjera që të bëhen pjesë e projekteve të tilla, që kanë për qëllim punësimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Adelina përveq përkrahjes me pajisje për themelimin e njësisë përpunuese është mbështetur edhe me trajnime teorike dhe pratike rreth përgatitjes së ëmbëlsirave, higjienës gjatë punës, funksionimit të pajisjeve, qasjes në treg dhe menaxhimit të biznesit. Edhe sot, Adelina vazhdon të mbështetet edhe me këshilla direkte në njësinë e saj në mënyrë që produktet e saja të jenë më kualitative dhe biznesi i saj të ketë qëndrushmëri.

Aktiviteti u mundësua në kuadër të projektit “Trajnim profesional dhe mundësi për gjenerimin e të ardhurave në bujqësi për gratë dhe të rinjtë që jetojnë në zonat rurale të Kosovës” projekt ky i përkrahur nga Donatori Zviceran CFD, komuna e Mitrovicës dhe i implementuar nga IADK.