Nënshkruhen kontratat për shitje të bimëve mjekësore aromatike

Peja & Istog

Me qëllim të lehtësimit të lidhjeve me blerësit e produkteve bujqësore (bimëve mjekësore aromatike) dhe përfituesve të projektit si prodhues të këtyre produkteve, IADK ka ndihmuar nënshkrimin e kontratave pesë (5) vjeçare për plasim të produkteve me 20 përfituesit e projektit.  

Shumica e përfituesve kanë nënshkruar kontratat me kompaninë “AgroProduct”, ndërsa disa prej tyre me kompaninë “Organic Herb”. 

Këta 20 fermer nga komuna e Pejës dhe Istogut të përkrahur me grante për kultivim të bimëve mjekësore aromatike në sipërfaqe nga 2000-2500 m², megjithëse kushtet klimatike nuk ishin edhe aq të përshtatshme gjatë vegjetacionit për shkak të një periudhe të gjatë të mungesës së reshjeve, kanë arritur një prodhimtari të mirë dhe cilësore të BMA-ve, si dhe kanë përfituar një eksperiencë të re në kultivimin e tyre.

Nënshkrimi i kontratave për shit-blerje të produkteve do të ndikojë në vazhdimi të kultivimit të BMA-ve dhe zgjerimin e sipërfaqeve kultivuese, duke kontribuar në krijim të të ardhurave dhe punësim.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Krijimi i vendeve të punës në bujqësi” i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA II të bashkëpunimit ndërkufitar në mes Malit të Zi dhe Kosovës.