IADK dhe BE edhe me një projekt

Mitrovicë dhe Shtime

Drejtori ekzekutiv i IADK-së z. Zenel Bunjaku njoftoi kryetarin e komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri dhe kryetarin e komunës së Shtimes z. Naim Ismajli për fushëveprimin dhe objektivat e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.

Ky projekt do të kontribuoj në rritjen e mundësive për punësimin e punëkërkueseve dhe vetëpunësimin e tyre përmes trajnimeve profesionale dhe mbështetjen e tyre financiare për krijimin e bizneseve fillestare (start-up).

Përmes këtij projekti, në komunën e Shtimes dhe Mitrovicës, gjithsej do të mbështeten 55 punëkërkues pjesë e grupeve të pa favorizuara me grante 5,000€ dhe 3,000€, të cilët veç tjerash do të mbështeten edhe me trajnime për ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e bujqësisë. Gjithashtu projekti do të mbështesë 20 studentë me punë praktike dhe trajnime të buta për të lehtësuar qasjen e tyre në tregun e punës.

IADK përmes këtij projekti do të ngritë kapacitetet e Qendrave për Aftësim Profesional (QAP) dhe Zyrave të Punësimit, drejt ofrimit të shërbimeve dhe trajnimeve për grupet e pa favorizuara.