Përfundojnë furnizimet për përfituesit e serrave

Vushtrri, Skënderaj, Shtime dhe Kamenicë

IADK në kuadër të aktiviteteve përkrahëse me grante për të rinjtë, të cilët kanë kërkuar mbështetje në ngritjen e serrave për kultivim të perimeve, ka përfunduar furnizimet e planifikuara për pakot e serrave për përfituesit e projektit në komunat: Vushtrri, Skënderaj, Shtime dhe Kamenicë. Për përfituesit e 24 serrave (23 me sipërfaqe prej 200m², dhe 1 me sipërfaqe 240m²), përveç sistemit të ujitjes dhe disa inputeve tjera përcjellëse, janë kryer edhe furnizimet me fara të spinaqit, qepujka dhe fidanë të sallatës, varësisht nga kërkesat e tyre, derisa 23 prej tyre janë furnizuar edhe me nga një motokultivator-frezë, me qëllim të punimit sa më cilësor të tokës për kultivim të perimeve. Të rinjtë do të përcjellen edhe me këshilla direkte për teknikat e kultivimit të perimeve dhe shfrytëzimin racional të serrave, me qëllim të krijimit të të hyrave sa më të larta nga kjo veprimtari.

Aktiviteti është mbështetur në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, i përkrahur nga donatori BfdW nga Gjermania dhe komunat partnere.