Përurohet njësia përpunuese e frutave dhe perimeve në fshatin Brusnik, komuna e Vushtrrisë

Brusnik

Fuqizimi ekonomik dhe social i femrës çdo herë është pjesë e programit të IADK-së, duke mbështetur ato në krijimin e biznesit për gjenerimin e të ardhurave dhe pavarsimin e tyre.

IADK organizoi ceremoninë e përurimit për të njësinë e krijuar me qëllim promovimit të tyre dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve të Vushtrrisë, për mundësinë e konsumimit të produkteve kualitative vendore, njësi e udhëhequr nga Znj.Vjosa Rexhaj Ferizi.

Përfituesja është mbështetur me tërë linjën e pajisjeve për përpunim të frutave dhe perimeve, të cilat do të lehtësojnë punën gjatë prodhimit të llojeve të ndryshme të produkteve. Qasja në treg dhe shitja e produkteve për përfitueset është lehtësuar edhe më shumë pas brendimit të produkteve të tyre dhe pajisjes me barkode identifikuese për 100 lloj të produkteve.

Drejtori ekzekutiv i organizatës Z. Zenel Bunjaku, falenderoi kryetarin e Komunës Z. Tahiri për gatishmërinë dhe mbështetjen në realizimin e projekteve në Komunën e Vushtrrrisë. Po ashtu përgëzoi Znj. Ferizi për vullnetin dhe guximin në krijimin e biznesit i cili do t’i shërbejë gjithë komunitetit në përpunimin e frutave dhe perimeve që ata i kultivojnë. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin Kryetari i komunës së Vushtrrisë Z. Xhafer Tahiri, zyrtarë të tjerë komunal të cilët ishin pjesë dhe lehtësues të zhvillimit të aktiviteteve të projektit.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së grave dhe të rejave me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe fuqizimit të tyre, si dhe vlerësoi lartë punën të cilën bënë IADK drejt arritjes së kësaj objektive.Kryetari i komunës ftoi qytetarët, bizneset dhe marketet në komunën e Vushtrrisë që të përkrahin produktet e Vjosës dhe grave nga Brusniku.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Trajnim profesional dhe mundësi për gjenerimin e të ardhurave në bujqësi për gratë dhe të rinjtë që jetojnë në zonat rurale të Kosovës”, i financuar nga donatori Zvicran CFD.